Përshëndetje e Zëvëndës Dekanit

Aktiviteti i Departamentit të Tekstilit dhe Modës është ngushtësisht i lidhur me përfshirjen personale të anëtarëve, dedikimin dhe korrektësinë e lektorëve të brëndshëm dhe të jashtëm në përgatitjen dhe dhënien e programeve mësimore, në përfshirjen dhe aktivizimin me përgjegjësi të lartë të departamentit në projekte të ndryshëm kombëtare dhe ndërkombëtare, në përfshirjen e anëtarëve të këtij departamenti për realizimin e punës mësimdhënëse dhe kërkimore si dhe me së fundi në bashkëpunimin e suksesshëm dhe produktiv me strukturat më të larta të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Universitetit Politeknik të Tiranës. Departamenti i Tekstilit dhe Modës vepron në lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Universitetin Politeknik të Tiranës. Qëllimi ynë është për të ardhmen promovimi i krijueshmërisë, dinamizmit dhe ekselencës së anëtarëve të departamentit dhe përfshirja e tyre në kërkimin europian. Lidhur me këtë unë i uroj shumë suksese Departamentit të Tekstilit dhe Modës.

Dr. Ing. Genti GUXHO

 

Historik i shkurtër i Departamentit të Tekstilit dhe Modës

Departamenti i Tekstilit dhe Modës është njësi mësimore dhe shkencore e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës. Aktiviteti i tij ka filluar në vitin 1968 me Filialin e Beratit, si degë e Fakultetit të Inxhinierisë së Universitetit të Tiranës me sistem 3 – vjeçar pashkëputje (part – time) nga puna. Në vitin 1980 kaloi si "Katedër e Tekstilit" në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Elektrike të Universitetit të Tiranës, duke drejtuar një sistem 4 ½ – vjeçar të përgatitjes së inxhinerit tekstil. Nga viti 1994 u njoh si “Departament Tekstili”, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës, departament i cili mbulon një degë të veçantë të këtij fakulteti atë të “inxhinerisë Tekstile”. Gjatë kësaj periudhe pranë kësaj dege janë diplomuar qindra specialistë të lartë të fushës tekstile, e cila përfshin inxhinerin teknolog të industrisë së filaturimit, tezgjahimit, trikotimit dhe prodhimit të veshjeve.
Fillimisht u aktivizua një trupë pedagogjike e diplomuar dhe e kualifikuar në Universitetin Politeknik Lodz në Poloni si Prof. Dr. Taxhedin Baholli, Ing. M.Sc. Kozma Xhero, Ing. M.Sc. Eva Budina, Ing. M.Sc. Shega Shapllo, Ing. Msc. Magdalena Ktona, etj. Kjo trupë pedagogjike u mbështet përgjithësisht në programe dhe plane mësimore të Universitetit të Lodz. Një brez i ri mësimdhënësish të përgatitur kryesisht në UPT dhe Universitetin e Mulhouse (France) si Dr. ing. Artan Sinoimeri, Dr. ing. Arjan Greva, Dr. ing. Albana Petrela i dhanë një impuls të ri degës së inxhinerisë tekstile përballë sfidave të ndryshimeve të mëdha ekonomike – shoqërore të viteve ’90.

Drejtuesit në vite të Departamentit të Tekstilit dhe Modës janë:
Ing. M.Sc. Kozma Xhero        Shef i Katedrës                      1980 – 1987
Ing. M.Sc. Eva Budina           Shef i Katedrës                      1987 – 1991
Ing. M.Sc. Shega Shapllo      Shef i Katedrës                       1991
Dr.Ing. Albana Petrela          Shef i Katedrës                      1991 – 1994
Dr.Ing. Albana Petrela          Përgjegjës i Departamentit    1994 – 2001
Dr.Ing. Genti Guxho              Përgjegjës i Departamentit    2001 – 2008
(aktualisht zëvëndës dekan i Fakulteti të Inxhinierise Mekanike, UPT).
Dr.Ing. Ermira Shehi              Përgjegjës i Departamentit    2008 – në vazhdim

Historia e Departamentit të Tekstilit dhe Modës është e lidhur ngushtë me punën kolosale të ekipit mësimdhënës në drejtim të planeve dhe programeve mësimore, hartimit të teksteve, artikujve shkencorë, pjesmarrjes në projekte të përbashkëta kombëtare, hartimit të standarteve të fibrës, fillit dhe tekstilit, punës së kualifikuar me studentët etj. Me fillimin e vitit akademik 2005 – 2006 Departamenti ka aplikuar sistemin me dy nivele diplomimi dhe kursin e studimit në inxhinieri tekstile dhe modë, sistemin 3 vjeçar "Bachelor” dhe atë 2 vjeçar "Diplome e Nivelit të Dytë.
Formimi "Bachelor ne inxhinieri tekstile dhe mode" eshte trevjecar dhe permban tre grupe lendesh:

  1. Lëndët e formimit inxhinierik
  2. Lëndët e formimit profesional
  3. Lëndët e përgjithshme

Lëndët me zgjedhje të shtrira nga viti i dytë në vitin e tretë janë përcaktuese për orientimin e inxhinierit të tekstilit në:

  1. Orientimin konfeksionim dhe mode
  2. Orientimin teknologji
  3. Orientimin kimik dhe permbarim

Pjesë përbërëse e Departamentin të Tekstilit dhe Modës janë tre laboratorë: Laboratori Fiziko-Mekanik dhe Kimik i Tekstilit (i akredituar sipas ISO/IEC 17025) Laboratori Fiziko-Mekanik i Sixhade/Tapeceri dhe Laboratori i Prodhimit të Tekstileve dhe Atelie e Projektimit dhe Modelimit.

Studentët që ndjekin studimet pranë këtij Departamenti, marrin njohuritë e para tekstile në semestrin II të vitit të parë dhe i vazhdojnë ato deri në semestrin e VI të vitit të tretë, më pas me Diplomën për nivelin “bachelor” dhe studime më të thelluara në orientimet teknologji, konfeksionim dhe modë dhe ngjyrim dhe përmbarim për nivelin “Master”. Njohuritë e marra nga studenti presupozojnë harmonizimin e teorisë me praktikën e cila kryhet pranë ndërmarrjeve prodhuese tekstile, atelie të modës, ndërmarrje të prodhimit të këpucëve në Shqipëri..

Laboratorët e Departamentit të Tekstilit dhe Modës përmbajnë një aparature cilësore dhe funksionale mësimore-shkencore e cila është përditësuar me ndihmën e projekteve kombëtare dhe evropianë për kërkim dhe zhvillim. Laboratori Fiziko – Mekanik dhe Kimik i Tekstilit eshte laboratori i parë në Shqipëri i akredituar nga Drejtoria e Përgjithëshme Standardizimit dhe më pas Drejtoria e Akreditimit sipas standardit ndërkombëtar ISO/IEC 17025. Personeli i Laboratorit Fiziko – Mekanik dhe Kimik të Tekstilit është i çertifikuar gjitashtu, nga Drejtoria e Përgjithëshme Standardizimit për kontrollin e cilësisë së materialeve dhe produkteve tekstile.

Veprimtaria mësimore e Departamentit është konceptuar si një e tërë e pandarë nga ajo shkencore. Projektet kombëtare, të financuar nga organizma të huaj ose qeveria shqiptare kanë patur pjesmarrjen e të gjithë stafit akademik. Disa prej tyre kanë qënë:

  1. Studim i gjendjes së industrisë së lehtë në Shqipëri (Ministria e Industrisë 1995)
  2. Studim mbi e shijet konsumatorit (bashkëpunim me ISPIL 1996)
  3. Studim mbi nevojat e konsumatorit    (USIS 1998)
  4. Studim mbi cilësinë e fibrave të leshta shqiptare (Qeveria Shqiptare 2005)
  5. Dixhitalizimi në projektimin e veshjeve (2006)
  6. Studim mbi standardet tekstile shqiptare në bashkëpunim me DPS (2003 – në vazhdim)
  7. Matjet kombëtare antropometrike dhe dizenjimi i uniformës së re të Policisë së Shtetit (2008)
  8. Rritja e kapacitetit teknik dhe didaktik në departamentin e tekstilit dhe modës për kontrollin e cilësisë së materialeve dhe produkteve tekstile - Banka Botërore (2007)
  9. Harta e burimeve natyrore e lëndës së parë për industrinë tekstile në Shqipëri - Qeveria Shqiptare - Projekt Kombëtar (2007-vazhdim)

Projektet ndërkombëtare ku Departamenti i Tekstilit dhe Modës ka marrë pjesë janë:

  1. Tempus JEP 2004-2006 ristrukturimi i curriculave të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në kuadrin e marrëveshjes së Bolonjës.
  2. FP6 forcimi i kapaciteteve humanë dhe teknikë të qëndrës kërkimore të tekstilit në Shqipëri 2007-2009.

Departamenti në punën e tij ofron shërbimet e mëposhtme për të tretë:

  • Projekte për probleme të Industrisë Tekstile dhe Konfeksionuese, Projektuese dhe Teknologjike kombëtare dhe ndërkombëtare;
  • Bashkëpunim me të tretët për probleme te kontrollit te cilësisë të materialeve tekstile dhe produkteve tekstile;
  • Konsulenca teknike në ndërmarrjet shtetërore dhe private të Tekstilit dhe Konfeksionit;
  • Bashkëpunim me institucione të tjera kërkimore shkencore;
  • Mendimin dhe ndihmesën e tij për probleme të modës dhe stilistikës shqiptare;

Departamenti i Tekstilit dhe Modës ka vendosur bashkëpunimin me Institucione ndërkombëtare si: E.N.S I.T. Mulhouse, FRANCE; University of Ghent, Departement of Textiles, BELGIUM; Shinshu University, Faculty of Textile Science and technology, JAPONY; Politecnico di TORINO, Dipartmento di Scienza dei Materiali, ITALY; Marmara University, Technical Education Faculty, Department of Textiles, ISTAMBUL, TURKEY; Textile Institute in the UK; Fakulteti Tekstilit, Zagreb, Kroaci; Instituti i Teknologjise Tekstile ne Pire, Greqi.

Një arritje domethënëse e gjithë aktivitetit të këtij departamenti është anëtarësimi i tij në korrik të 208 në rrjetin AUTEX të universiteteve dhe instituteve mësimdhënëse e kërkimore të tekstilit në botë.

Tetor 2008
Dr.Ing. Ermira SHEHU
Përgjegjës i Departamentit

Copyright 2008 © UPT - Departamenti i Tekstilit dhe Modës.