Konferenca e Parë Kombëtare e Tekstilit
Konferenca e Parë e Tekstilit u mbajt në Tiranë më datë 12 Korrik 2004. Kjo Konferencë e Parë e Tekstilit u mblodh për të përkujtuar 20 – vjetorin e krijimit të Departamentit të Tekstilit pranë Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës.
"Në këto 20 vjet ka ndryshuar shumë gjëra, që kanë të bëjnë me industrinë tekstile në Shqipëri dhe me rolin e universitetit në shoqëri. Sigurisht, këto ndryshime kanë sjellë sfida të reja përpara Universitetit në përgjithësi, dhe degës dhe Departamentit të Inxhinierisë Tekstile.
Dikur dega e inxhinierisë tekstile të cilën e mbulon Departamenti i Tekstilit, hidhte në tregun e punës inxhinierë që i shërbenin industrisë masive të ekonomisë së centralizuar.
Sot edhe pse industria tekstile, në veçanti ajo konfeksionuese, përfaqëson një ndër dy industritë më të mëdha në kontributin e prodhimit të brendshëm bruto dhe industrinë e parë për sa i përket eksporteve industriale shqiptare (me rreth 60% të tyre), përqasja ndaj tregut të punës ka ndryshuar shumë dhe për këtë arsye stafi pedagogjik i Departamentit të Tekstilit ka hyrë në vitet ’90 në një proçes të gjatë riorganizimi. Jemi të ndërgjegjshëm që ky proçes do të zgjasë shumë.
Treguesit e ekonomisë shqiptare dhe numri i aplikanteve për studime në degën e inxhinierisë tekstile janë të tilla që të mund të gjykojmë me optimizëm mbi të ardhmen e kësaj industrie. Pikërisht këtë gjë ne do të kemi gjithmonë parasysh në mënyrë që të jemi sa më të sukseshëm duke i ofruar tregut të punës atë që vërtet i duhet industrisë aktuale." - shkëputur nga fjala përshëndetëse mbajtur në hapjen e Konferencës nga Dr. Genti Guxho.